Interesat e kredisë për shtëpi pësuan rënie të mëtejshme në tremujorin e tretë
Interesi mesatar i kredive për shtëpi në lekë ra në 3.7 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, sipas Bankës së Shqipërisë.

Normat e interesit të kredive për blerjen e banesave kanë vijuar rënien gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, ndërsa financimi bankar mbetet një nga faktorët kryesorë që mbështet kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë hipotekare në lekë për individët zbriti në 3.7 për qind gjatë tremujorit të tretë, nga 3.8 për qind në tremujorin e dytë dhe 3.9 për qind në tremujorin e parë të vitit.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, mbizotërimi i ofertave me norma fikse interesi për vitet e para të kredisë, në një segment ku konkurrenca mes bankave mbetet e lartë, ka kufizuar deri tani ndikimin e rritjes së yield-it 12-mujor në normat e interesit.
Këto të dhëna tregojnë se bankat vazhdojnë të ofrojnë kushte konkurruese për financimin e blerjes së banesave, ndërsa tregu i kredive hipotekare mbetet dinamik.
Kredia e re për banesa arrin në 53.4 miliardë lekë
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, sektori bankar disbursoi gjithsej 53.4 miliardë lekë kredi për blerjen e banesave, me një rritje prej 6.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Vlera e kredisë së re për banesa ka arritur një rekord të ri historik, megjithëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në fund të nëntëmujorit 2025, kredia e re për shtëpi rezultonte në rritje me 27 për qind në bazë vjetore.
Edhe portofoli aktiv i kredive për banesa ka vijuar zgjerimin. Në fund të shtatorit 2026, vlera e tij arriti në 267.7 miliardë lekë, me një rritje prej pothuajse 13.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ritmi i rritjes vjetore është ngadalësuar nga niveli prej 18 për qind i regjistruar një vit më parë.
Financimi përmes kredisë bankare vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, rreth 58 për qind e pronave për banim dhe atyre për përdorim tregtar të shitura nga subjektet e vrojtuara janë blerë me hua bankare.
Kufizimet e Bankës së Shqipërisë kanë nisur të ndikojnë në tregun e kredive
Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2025 për të kufizuar rreziqet në kreditimin e pasurive të paluajtshme kanë filluar të japin efekt, megjithëse ndikimi i tyre deri tani nuk ka qenë shumë i fortë.
Që prej korrikut 2025, bankat janë të detyruara të respektojnë kritere të posaçme për administrimin e rrezikut, të lidhura me dy tregues kryesorë: “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”.
Treguesi i parë përcakton pjesën e çmimit të blerjes së banesës që banka mund të financojë përmes kredisë, ndërsa treguesi i dytë përcakton raportin ndërmjet këstit ose kësteve të kredisë për prona dhe të ardhurave të huamarrësit.
Për kreditë në lekë, raporti maksimal i kredisë ndaj vlerës së pronës është vendosur në 85 për qind për shtëpinë e parë dhe 80 për qind për shtëpinë e dytë. Për kreditë në valutë të huaj, kufijtë janë përkatësisht 75 për qind për shtëpinë e parë dhe 70 për qind për shtëpinë e dytë.
Ndërkohë, raporti maksimal i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në lekë është 40 për qind për shtëpinë e parë dhe 35 për qind për shtëpinë e dytë. Për kreditë në valutë të huaj, kufijtë janë 35 për qind për shtëpinë e parë dhe 30 për qind për shtëpinë e dytë.
Këto masa janë ndërmarrë për të frenuar ritmet e shpejta të rritjes së kredive për blerjen e banesave dhe për të kufizuar ekspozimin e sektorit bankar ndaj zhvillimeve të çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.
Megjithëse normat e interesit kanë vijuar rënien dhe vlera e kredive të reja ka arritur nivele rekord, ngadalësimi i ritmeve të rritjes tregon një ecuri më të moderuar të kreditimit krahasuar me vitin e kaluar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)